Tortat tona janë frymëzuar nga tortat me shumë shtresa amerikane, njëkohësisht guxuese dhe madhështore, duke i shtuar elemente të pastiçerisë klasike franceze. Secila prej tyre përfaqëson shije të veçanta dhe përbëhet nga disa elemente: diçka e butë, diçka kremoze, diçka kërce.
Por ndryshimi thelbësor i tortave tona, i cili shumë shpesh kthehet edhe në pikëprerjen e pritshmërive të klientëve tanë, është keku. Keku i tortave Rubi është kek gjalpi i cili ka për veçori shijen e mirë dhe shkriftësinë, por nuk është i sfungjertë. Një kek 'velvet' është bashkëlojtar në shijen e përgjithshme të tortës, ndryshe nga pandispanjat e zakonshme të cilat presin që shijen dhe lagështinë ta përftojnë nga kremi dhe shurupi.
Një kek velvet gjalpi është i ngopur në natyrën e vet ndaj nuk pranon shurupe. E vetmja gjë do, është të zbutet dhe të vijë në temperaturë ambjenti. Duke qënë se kekët e gjalpit kombinohen me kremëra gjalpi e çokollate, këshillojmë gjithmonë që torta pasi të pritet në pjesë të qëndrojë nëpër pjata në temperaturë ambjenti edhe pak më gjatë për efektin më të mirë të mundshëm.
Në të kundërt rrezikoni që keku të duket tepër i fortë dhe kremi të mos shijojë siç duhet.
Një tjetër 'sekret'? Torta ditën e nesërme do t’ju shijojë edhe më shumë sepse shijet do të kenë bashkëvepruar edhe më shumë me njera tjetrën.