Nga Vietnami tek Rubi

Nga Vietnami tek Rubi

Ndonjëherë më duket sikur gjërat lëvizin kaq shpejtë sa harrojmë të vlerësojmë të mirat që kemi. Kështu për shembull çokollata Marou që sjellim vetë nga Vietnami është nga ato përbërës që na ka ndihmuar të krijojmë produkte tepër të veçanta por që nuk flasim mjaftueshëm për të. 

Ndaj ky shkrim është për të.

Single Origin: Kakaoja, ashtu si kafeja dhe vera, ka "terroir", që do të thotë se çdo zonë ku ajo rritet ndikon në notat dhe shijen e saj. Duke marrë kakaon vetëm nga një rajon i caktuar i Vietnamit, mund të shijosh nuanca të ndryshme në secilën pllakëz, gjë që për çokollatën industriale nuk ekziston. 

Bean To Bar: Ashtu si kafeja e specialitetit, çokollata Bean To Bar vjen si një alternativë ndaj çokollatës komerciale, duke pakësuar hallkat e prodhimit industrial. Ajo përpunohet në sasi të vogla në fermën ku rritet, pa shtuar "mbushës" si soja, lecithina apo të tjerë përbërës si glukoza apo aromat artificiale. Kjo e bën këtë çokollatë të pastër dhe të thjeshtë. Veç dy përbërës.

E errët, por jo e hidhur: Çokollata e errët (dark apo fondente) nuk ka përse të jetë e hidhur. Edhe këtu diskutimi është i ngjashëm me atë të kafesë. Një çokollatë mbi 60% kakao nuk ka përse të jetë e hidhur, sepse kakaoja në fakt është e thartë në gjendjen e saj primare. Por industria na ka mësuar që çokollata e errët është jo vetëm e hidhur, por sa më lartë shkojmë në përqindjen e kakaos aq më e hidhur bëhet. Në fakt, nuk është faji i kakaos në vetvete, por i tejpjekjes - që shpesh është edhe një kamuflim për cilësi të ulët apo defekte të ndryshme që ndodhin kur kakaoja përpunohet në sasi gjigante.

Marou në gamën tonë të tortave: Qysh kur hapëm Rubin, donim një çokollatë shumë të veçantë për krijimet tona. Marou ishte fiks ajo që donim. Një markë e re nga Vietnami, me vizion dhe dëshirë për të sjellë risi. Çokollata Bean To Bar është ende e re në botën e çokollaterisë, por jemi të bindur që kjo është e ardhmja. Sot të gjithë po synojmë të bëjmë zgjedhje më të mira, të orientuara nga cilësia, jo nga sasia.

Një koleksion shijesh: Donëse çokollata Marou, në pjesën më të madhe të saj, synon të ofrojë çokollata të errëta, ka edhe një koleksion ku shijet klasike kombinohen me shijet tipike vietnameze, si p.sh. Ginger Lime, Mekong Kumquat, Arabica Coffee etj. Këtë vit presim të kemi edhe shije të reja, të cilat do t’i sjellim për herë të parë për fundvit. 

 

Back to blog